Site icon Telegrafi

Kurti takohet me presidentin e Kryqit të Kuq, flasin për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës

Çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishte tema e takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministres Donika Gërvalla dhe Presidentit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Peter Maurer.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, kryeministri Kurti e falënderoi Maurer për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Qeverisë së Kosovës.

“Ai shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e mirë që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur në Zyrën e Kryeministrit, si dhe për ndihmën e dhënë familjeve të personave të zhdukur”, thuhet në njofim.

Personat e zhdukur me forcë mbeten plagë e hapur e Kosovës që nga viti 1999, tha kryeministri, duke shtuar se progresi në këtë fushë është i një rëndësie të madhe për të gjitha familjet e pikëlluara të 1617 personave që ende konsiderohen të zhdukur.

Tutje, në njoftim thuhet se, kryeministri e njoftoi Maurer me punën dhe angazhimin me përkushtim gjatë vitit 2021 për hulumtimin, identifikimin dhe zgjidhjen e rasteve nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, shoqatat e familjarëve dhe partnerët ndërkombëtarë.

“U bisedua për kërkimet e vazhdueshme në territorin e Serbisë për lokacione të reja të varrezave masive nga lufta e viteve 1998-1999. Po ashtu u fol për mënyrat se si ICRC mund të ndihmojë me përvojë dhe ekspertizë.

Në takimin e mbajtur në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndriçim të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, dhe vendosjen e drejtësisë”. /Telegrafi/

Exit mobile version