Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe homologu i tij i Armenisë, Nikol Pashinyan, zhvilluan të premten takimin e parë bilateral mes tyre.
Në fillim të bisedës, Kurti shprehu mirënjohjen ndaj qëndrimit të Armenisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai tha se Republika e Kosovës i ka të përbrendësuara vlerat e Këshillit të Evropës dhe se krahas kësaj organizate, synon anëtarësimin edhe në NATO.
“Kryeministri armen theksoi rëndësinë dhe simbolikën e këtij takimi të parë mes dy kryeministrave, shprehu interesim për bashkëpunim ekonomik dhe për mundësitë që ofron Kosova në investime. Në këtë drejtim, mes tjerash, Kryeministri Kurti veçoi sektorin e energjisë”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës.
Interesim dhe gatishmëri të dyanshme kishte edhe për bashkëpunim në fushën e kulturës, filmit, turizmit dhe edukimit. /Telegrafi/