Mbështetja dhe përkrahja e Republikës së Turqisë ndaj Kosovës, si dhe marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet të dy vendeve, u vlerësuan lartë në takimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.
Në njoftimin e bërë për media nga zyra e kryeministrit thuhet se, Turqia është një përkrahëse, mike dhe partnere e madhe e Kosovës.
Vendet dhe njerëzit tanë kanë lidhje të afërta tradicionalisht dhe qeveritë tona kanë bashkëpunuar ngushtë që nga pavarësia jonë, tha kryeministri Kurti, duke theksuar rolin e rëndësishëm që Turqia ka luajtur në çlirimin tonë, por edhe në forcat paqe ruajtëse të NATO-s.
“Ai falënderoi Republikën e Turqisë dhe Presidentin Erdogan për kontributin e madh në afirmimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për mbështetjen në procesin e njohjeve. Duke theksuar se Kosova ka shumë për të mësuar nga Turqia dhe Forcat e Armatosura Turke, kryeministri shprehu mirënjohjen për programet dhe stërvitjet e shkëlqyera, që ofrojnë shumë mundësi për shtim aftësish për pjesëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Më tej, në njoftim thuhet se “ai u shpreh veçanërisht mirënjohës për donacionet në fondet e mbrojtjes, prej 1.3 milion dollarë për vitin 2021, si dhe pajisjet, trajnimet dhe arsimimin në të gjitha fushat”.
“Si qeveri e Republikës së Kosovës, ne jemi vërtet mirënjohës për mbështetjen kaq bujare të Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe shpresojmë se do të vazhdojmë të punojmë për të çuar më tej bashkëpunimin tonë në këtë aspekt”, tha kryeministri Kurti.
Duke përmendur sukseset e Forcës së Sigurisë, kryeministri Kurti, bëri të ditur se për vitin e ardhshëm Qeveria ka ndarë një buxhet prej mbi 100 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes, apo 1.3% të Bruto Produktit Vendor, duke synuar që së afërmi të mbërrijmë edhe standardin prej 2% të BPV-së, që parasheh një ushtri e NATO-s.
Ministri Akar theksoi përpjekjet e mëdha të Republikës së Turqisë, që Republika e Kosovës të fitojë vendin e duhur në arenën ndërkombëtare. Ai rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për integrimin euro-atlantik dhe në NATO, rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve të FSK-së si dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Vlerësoj marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve dhe dy popujve tonë, që bazohen në një lidhje shumë të afërt, të cilën do ta çojmë edhe më përpara, tha Ministri Akar. /Telegrafi/