Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis gjatë forumit të Delfit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Kurti përmes një postimi në Twitter, duke thënë se ndjehet i nderuar që sot është pritur nga kryeministri grek.
“Ne folëm për nevojën për të mbështetur njerëzit e guximshëm të Ukrainës dhe për të adresuar bashkërisht sigurinë e energjisë dhe ushqimit për të ardhmen. Gjithashtu pata rastin ta falënderoj personalisht për përparimin në marrëdhëniet mes vendeve tona”, ka shkruar Kurti, pa bërë publike detaje të tjera nga takimi me kryeministrin grek, nga i cili nuk ka postuar as fotografi.
Kurti sot ka takuar edhe ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, të cilit i ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
Ministri i Jashtëm grek ka thënë se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe shtoi se shteti grek do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike. /Telegrafi/