Telegrafi

Kurti takohet me kreun e KFOR-it gjeneralmajor Franco Federici

E kaltra për drejtësi dhe besnikëri, e kuqja për guxim dhe sakrificë janë ngjyrat simbol të karabinierisë, që shërben në Njësinë e Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it në Kosovë.

Nën këto dy ngjyra emblematike, me nderime ushtarake komandanti i kësaj njësie Stefano Fedele dhe komandanti i KFOR-it gjeneralmajori Franco Federici mirëpritën kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në prani edhe të udhëheqësve të njësive të këtij regjimenti u prezantuan funksioni dhe aktivitetet e MSU-së që vepron në Kosovë nga 1999.

Gjatë drekës së punës u diskutua situata e sigurisë në vend dhe bashkërendimi i veprimeve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it. /Telegrafi/