Site icon Telegrafi

Kurti takohet me Komshiqin në Munich, diskutojnë për përmbushjen e obligimeve nga “Procesi i Berlinit”

Takimet në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i filloi me një bashkëbisedim me Kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zelko Komshiq.

Bashkë ata diskutuan për zhvillimet e fundit në dy shtetet respektive dhe ndanë këndvështrimet e tyre mbi ato në rajon, me theks në rrafshin e sigurisë.

Kurti foli për temat aktuale, përfshirë Rregulloren e Bankës Qendrore, objektivat e saj, dhe veprimet që po ndërmarrin institucionet për të lehtësuar zbatimin e saj paralelisht me informimin e duhur publik.

U bisedua për përfitimet nga bashkëpunimi rajonal si dhe sfidat në këtë drejtim. Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ratifikimit nga Bosnja dhe Hercegovina të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime ndërmjet dy vendeve.

Kjo marrëveshje do të lehtësonte rritjen e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës.

Ndryshe, 50 udhëheqës botërorë do të marrin pjesë në këtë ngjarje vjetore, e cila vlerësohet si forum kyç ku debatohet për politikën ndërkombëtare të sigurisë. Qeveritë e Rusisë dhe Iranit nuk janë ftuar.

Kjo ngjarje po mbahet në kohë kritike, pasi në Shtetet e Bashkuara po vazhdon fushata për zgjedhjet presidenciale ku ka të ngjarë që sërish të përballen presidenti Joe Biden, dhe ish-presidenti Donald Trump. /Telegrafi/

Exit mobile version