Site icon Telegrafi

Kurti takohet me kancelarin gjerman Scholz në margjinat e kongresit të SPD-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e kongresit të Partisë Socialdemokrate ka takuar kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Kurti në një postim në X shkruan se takimi me Scholzin ishte i frytshëm.

“Kënaqësi të marr pjesë në kongresin e partisë SPD të këtij viti, ku pata një takim të frytshëm me kancelarin Olaf Scholz, duke nënvizuar forcën e marrëdhënieve tona dypalëshe dhe vizionin tonë të përbashkët si socialdemokratë që nxisin drejtësinë, përparimin dhe prosperitetin për qytetarët tanë”, shkruan Kurti.

Ndërkaq, në një komunikatë të lëshuar më pas nga Kryeministria thuhet se Kurti dhe kancelari Scholz diskutuan mbi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe, rëndësinë e integrimit në Bashkimin Evropian të Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillim, drejtësi sociale dhe mirëqenie në të dy vendet.

Kryeministri Kurti shprehu edhe në këtë rast mirënjohjen dhe falënderimin e tij për rolin e rëndësishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për popullin dhe Republikën e Kosovës.

Ky ishte takimi i dytë bilateral ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kancelarit gjerman Scholz këtë vit, nga katër gjithsej në dy vitet e fundit, thuhet në njoftim.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në Berlin të Gjermanisë ku po merr pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), si dhe do të takojë diasporën kosovare.

Ai gjatë kësaj vizite shoqërohet nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Kurti në kuadër të kongresit do të zhvillojë takime me politikanë dhe deputetë të ndryshëm të SPD-së gjermane.

Ndërkaq të dielën, do të takojë pjesëtarë të mërgatës në Gjermani. /Telegrafi/

 

Exit mobile version