Site icon Telegrafi

Kurti takohet me Escobarin në Bruksel, para takimit me Vuçiqin

Në prag të takimit të sotëm të nivelit të lartë politik në Bruksel, Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti, u takua me Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në komunikatën nga Zyra e Kryeministrit thuhet se, ishte një takim miqësor e produktiv, të cilin kryeministri Kurti e filloi duke e falënderuar z. Escobar për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e votimit në fazën e parë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar atë të arritur meritore të Republikës së Kosovës.

U diskutua për takimin e sotëm, agjendën dhe pritjet, teksa u theksua nevoja e zbatimit të plotë, në mirëbesim dhe pa kushtëzime të asaj që është dakorduar me 27 shkurt në Marrëveshjen Bazë dhe 18 mars në Planin e Zbatimit, thuhet në komunikatë.​

Një ditë më herët, Kurti foli edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili shprehu pritjet e SHBA-së për një takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe për përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit.

Në tryezën e bisedimeve sot është draft-statuti për formimin e këtij Asociacioni, i hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb – përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e një marrëveshjeje të re që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Deri më tash, pikë e përmbushur e marrëveshjes është vetëm themelimi i Komitetit të Përbashkët Monitorues që do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes. /Telegrafi/

Exit mobile version