Në Detroit të Michiganit, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një takim me shoqatën e bizneseve “Automation Alley”.
Lidere në mesin e shoqatave të bizneseve për teknologji dhe prodhim, “Automation Alley” bën lidhjen ndërmjet industrisë, akademisë dhe qeverisë për të përshpejtuar inovacionin dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të Michigan-it juglindor.
Aty Kurti u takua me drejtorin e Partneriteteve Strategjike Globale, Noel Nevshehir me të cilin diskutuan për Industrinë 4.0 apo siç njihet ndryshe, revolucionin e katërt industrial. Industria 4.0 fokusohet në ndërlidhjen, automatizimin, mësimin makinerik dhe shkëmbimin e të dhënave në kohë reale në industrinë e prodhimit.
Sipas njoftimit, Kurti prezantoi para tyre mundësitë për investime në Kosovë dhe për potencialin në rritje të vendit tonë në Teknologjinë e Informacionit. Ai i ftoi për vizitë në Kosovë për të hulumtuar nga afër mundësitë që tregu i vendas ofron. /Telegrafi/