Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar shërim të shpejtë kryeministrit sllovak Robert Fico, i cili u plagos sot në Hamdlova.
Kurti e ka quajtur tejet shqetësues lajmin për plagosjen e kryeministrit Fico, ndërsa shprehet se dhuna nuk ka vend në demokraci.
”Një lajm shumë shqetësues nga Sllovakia, raporton se kryeministri Robert Fico është qëlluar. I urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë dhe i shprehim mendimet tona familjes së tij dhe popullit të Sllovakisë. Dhuna nuk ka vend në demokraci”, ka shkruar Kurti në platformën X.
Very disturbing news from Slovakia, reporting that PM Robert Fico has been shot. We wish him a fast and full recovery and extend our thoughts to his family and the people of Slovakia. Violence has no place in a democracy.
— Albin Kurti (@albinkurti) May 15, 2024
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka uruar shërim të shpejtë kryeministrit të Sllovakisë, Roberto Fico.
Presidentja është shprehur se dënon fuqishëm këto akte dhune që, siç shkroi ajo, kërcënojnë vlerat evropiane.
“Duke i uruar kryeministrit sllovak Robert Fico një shërim të shpejtë pas sulmit të sotëm. Ne i dënojmë fuqishëm këto akte dhune që kërcënojnë vlerat evropiane”, është shprehur Osmani.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme sllovake konfirmoi të mërkurën se ka ndodhur një “atentat për vrasjen” e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.
Zyra e Qeverisë sllovake tha se Fico u dërgua me helikopter në spitalin e qytetit Banjska Bistrica.
Kryeministri sllovak u godit në stomak pasi u shkrepën katër plumba pranë Shtëpisë së Kulturës së Qytetit, Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit, sipas TA3.
Fico sapo kishte dalë nga një takim qeveritar kur një i dyshuar shtiu ndaj tij. /Telegrafi/