Site icon Telegrafi

Kurti shpërfill urdhrin e Gjykatës, shkon në Gjilan dhe jo në Prokurori

Përkundër urdhrit të Gjykatës Themelore, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka refuzuar të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar lidhur me rezervat shtetërore.

Gjykata kishte urdhëruar Kurtin të paraqitet sot në ora 10:00 në Prokurori, por që i njëjti ka vendosur që në po të njëjtën kohë të merr pjesë në vendosjen e gurthemelit të një kopshti fëmijësh në qytetin e Gjilanit, transmeton Telegrafi.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka tentuar të marrë një koment nga zyra e kryeministrit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Poashtu, nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se do të bëjnë një njoftim më vonë rreth situatës së krijuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë ditë më parë njoftoi se ka lëshuar urdhër që obligon Kurtin të japë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi kryeministri nuk është paraqitur në dy ftesa që ia ka bërë Prokuroria në muajt e fundit.

Vetë kryeministri ka thënë disa herë se nuk i ka refuzuar ftesat, por insiston që dëshminë të japë në zyrën e tij në Kryeministri. Zyra e tij ka dërguar kërkesë në Gjykatën Themelore, duke i kërkuar këtij institucioni ta urdhërojë Prokurorinë që dëshmia të merret në Kryeministri./Telegrafi/

 

Exit mobile version