Ish-krerët e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit (SDB) të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq janë dënuar me 12 vjet burg në gjyqin më të gjatë në historinë e gjykatës në Hagë.
Dyshja u dënua për vrasjen, dëbimin dhe transferimin me forcë të boshnjakëve dhe kroatëve nga Bosnje-Hercegovina dhe Kroacia në vitin 1992. Është vërtetuar se Stanishiq dhe Simatoviq kontrollonin njësinë famëkeqe, Bereta e Kuqe nga Serbia, e cila bëri krime në Samac.
Pas dënimit të ish-zyrtarëve shtetëror serb, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka pohuar se bëhet fjalë për dy figura famëkeqe të regjimit të presidentit të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, transmeton Telegrafi.
“Dy figura famëkeqe të regjimit të Milloshevicit, Jovica Stanisic dhe Franko Simatovic, u dënuan me 12 vjet burg secili për ndihmën dhe nxitjen e krimeve të kryera nga një njësi speciale e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Serb, Beretat e Kuqe, gjatë luftës në Bosnje në 1992. Këta janë të njëjtët persona, strukturat e të cilëve pas Bosnjës kryen gjenocid në Kosovë”, shkroi Kurti në Twitter.
Ai më tutje deklaroi se Serbia sot duhet të përballet me të kaluarën e saj, të pranojë të vërtetën, të kërkojë falje dhe të distancohet nga Serbia e Millosheviqit. “Vetëm atëherë mund të fillojë pajtimi”, shkroi në fund Kurti.
Ndryshe, rigjykimi i Stanishiqit dhe Simatoviqit është gjyqi më i fundit para gjykatës së Hagës për të përcaktuar nëse zyrtarët serbë ishin përgjegjës për krimet e luftës në Bosnje dhe Kroaci.
Që kur ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, vdiq para se të shqiptohej vendimi, deri më tani në Hagë, asnjë zyrtar i atëhershëm shtetëror serb nuk është shpallur fajtor për këto krime. Vetëm komandantët ushtarakë u dënuan për krimet e tyre. /Telegrafi/
These are the same persons whose structures after Bosnia committed genocide in Kosova.
Serbia today must face its past, accept the truth, apologize & distance itself from Milosevic’s Serbia.
Only then can reconciliation begin.
— Albin Kurti (@albinkurti) June 30, 2021