Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, në 20-vjetorin e zhdukjes së tij.
Kurti nëpërmjet një shkrimi të bërë në Facebook, ka shkruar se sa ma shumë që kalojnë vitet aq më shumë mungon Ukshin Hoti dhe secili tipar i tij. Tutje, ai nuk ka kursyer as kritikat për Qeverinë aktuale, sipas tij shteti kurrë nuk ka qenë më i kapur se sa sot, dhe se Ukshin Hoti nuk i ka marrë asgjë vendit dhe se i ka dhënë krejt çfarë ka pasur, transmeton Telegrafi.
Shkrimi i plotë:
“Në 20 vjetorin e rrëmbimit
Sa më shumë që kalojnë vitet aq më shumë na mungon Ukshin Hoti. Na mungon secili tipar i tij: na mungon Ukshin Hoti si politikan intelektual e veprimtar patriot, na mungon Ukshin Hoti si diplomat i kulturuar e profesor shkencëtar, na mungon Ukshin Hoti si tribun prijës e busullë etike.
Ndërrimi i qeverisë në Kosovë e shtoi sasinë e qeveritarëve por jo edhe cilësinë e qeverisjes. Kurrë shteti ynë nuk ka qenë më i kapur sesa sot. Sepse kurrë zyrat e larta të shtetit nuk kanë pasur më shumë bashibozukë mujsharë dhe lakmiqarë tërpijanë që e kanë bërë shtetin feud e Kosovën plaçkë.
Ukshin Hoti e ka dashur shtetin si republikë, popullin si kryengritje, lirinë si zhvillim dhe demokracinë si mënyrë. Nuk i mori asgjë vendit tonë, i dha krejt çka pati, bëri krejt çfarë mundi. Ai thoshte çka mendonte dhe bënte çka thoshte.
Tri herë i burgosur politik. Nuk ndalej. Ai jetoj për neve. Tre librat do t’i jetojnë edhe pas neve.
Te “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, “Lufta e ftohtë dhe detanti” si dhe “Bisedë përmes hekurash” ku kemi përgjigjet e Ukshin Hotit në 13 pyetjet e Ismail Kadaresë, e gjejmë orientimin e duhur për të ardhmen dhe shpjegimin e nevojshëm për veten tonë.
Librat e Bacës Ukë janë. Leximi i tyre nga pushtetarët mungon.
Ukshin Hoti është, qeveria mungon”./Telegrafi/