Telegrafi

Kurti: Rrezikohemi nga një valë e re gjatë javëve në vazhdim, varianti Omicron po sulmon më shumë fëmijët

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se masat e reja të marra nga Qeveria e Kosovës, janë të domosdoshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19 dhe konkretisht variantit të ri Omicron.

Kurti ka thënë se rreziku i një vale të re në javët dhe muajt në vazhdim, na detyron të rrisim vigjilencën tonë.

“Janë katër rreziqe me të cilat do të përballemi shumë shpejt. Së pari festat e fundit shoqërohen me ardhjen e një pjese të konsiderueshme të mërgatës tonë nga jashtë, ky shtim i përkohshëm i popullsisë në vendin tonë së bashku me grumbullimet për festat,  paraqet rrezik të lartë për shpërndarje të virusit. Së dyti, situata epidemiologjike në Evropë vazhdon të jetë e rëndë sidomos në disa vende ku banojnë një numër i madh i mërgimtarëve tanë, sidomos në Gjermani dhe Zvicër. Shtimi i udhëtarëve të këtyre vendeve e rrit mundësinë që gjendja epidemiologjike të përkeqësohet edhe në vendin tonë sikurse në këto vende. Së treti Kosova ka shkallë më të ulët të vaksinimit sesa këto vende evropiane, gjë që e bënë një valë të re të infektimeve dhe më të mundshme dhe më të rrezikshme. Së katërti, ditëve të fundit është shfaqur varianti Omicron, i cili është përhapur në 38 vende të botës, duke përfshirë 18 vende evropiane. OBSH e ka klasifikuar r si variant shqetësues. Ky variant ka gjasë të përhapet  mbi dy herë më shpejt se varianti Delta”, tha Kurti.

Lexo po ashtu Rreziku nga varianti Omicron, këto janë masat e marra nga Qeveria të cilat hyjnë nesër në fuqi

Kurti shtoi se varianti Omicron po shkakton më shumë hospitalizime të fëmijëve sesa variantet e mëparshme, sidomos atyre nën moshën 5 vjeç.

“Sipas autoriteteve shëndetësore të Afrikës së Jugut gati të gjithë këta fëmijë i kanë pasur prindërit e pa vaksinuar. Kjo është dëshmi se mjeti më i fortë i mbrojtjes nga virusi mbetet vaksinimi”, tha Kurti.

Ai shtoi se si kryeministër nuk kam detyrë më të rëndësishme sesa të mbroj jetën e qytetarëve tanë.

“Kemi marrë masa kufizuese brenda vendit dhe pikat kufitare. Jemi duke shqyrtuar të dhëna të reja, mbi të cilat do të përditësojmë masat konfrom situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë. Momentin e parë që rreziqet e lartë përmendura zbuten, Qeveria do të marrë vendim të menjëhershëm për lehtësim të masave kufizuese gjithmonë pa rrezikuar jetën e qytetarëve”, tha Kurti. /Telegrafi/