Kryeministri Albin Kurti ka thënë se rehabilitimi i linjës hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë do të shërbej lidhjen e vendit tonë me rajonin dhe Evropën.
Kurti gjatë prezantimit të këtij projekti është shprehur se ky projekt rrjedh nga agjenda e Berlinit.
“Rehabilitimi i linjës 10-të hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë përveç që i paraprinë zhvillimit ekonomik, por i shërben lidhjes së vendit tonë me rajonin dhe me Evropën. E dimë që qytetarët e Kosovës e shfrytëzojnë shumë pak trenin si mjet transporti, ku kjo është për faktin se rrjeti hekurudhor nuk e mbulon të gjithë vendin por edhe se për shkak të rrjetit jo të mirë e të vjetruar”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, projekti do të kontribuoj në hapjen e vendeve të reja të punës.
“Ky projekt rrjedh nga agjenda e Berlinit, që ishte udhëhequr nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel. Ky projekt do t’i kontribuoj zhvillimit ekonomik e social, hapjes së vendeve të reja të punës, avancimit të bashkëpunimit ndër-fqinjësor dhe afrimit të më tepërt me shtetet e Bashkimit Evropian”, shton ai.
“Jemi duke punuar që në të ardhmen të modernizohen edhe linjat e tjera hekurudhore, kështu që të shtohet potenciali transportues e tregtar”, përfundon Kurti. /Telegrafi/