Site icon Telegrafi

Kurti: Reforma e Administratës Publike, garanton integrimin euro-atlantik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Konferencës ‘’KosovaPar2023’’, ku u diskutua për të ardhmen e Administratës Publike, fleksibilitetin, stabilitetin dhe digjitalizimin e Administratës Publike, organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ngjarje kjo e cila do të bëhet vjetore.

Fjalën e tij, kryeministri Kurti e nisi me një falënderim ndaj ministrisë përkatëse për organizimin e kësaj konference siç e quajti ai, shumë të rëndësishme për vendin tone dhe për Administratën Publike.

Kurti u shpreh se këto konferenca janë të rëndësishme sepse bëjnë bashkë akademikë, zyrtarë publikë nga vendi dhe bota për të debatuar, për të shkëmbyer si ide ashtu edhe përvoja rreth praktikave më të mira të reformimit të administratës publike.

“Reforma e administratës publike, dua të theksoj se është prioritet i Qeverisë sonë. Praktika e shteteve të tjera në Evropë ka dëshmuar se një administratë publike efikase, moderne, transparente dhe llogaridhënëse është çelësi i të gjitha reformave të tjera. Pra, reforma e administratës publike nuk është si çfarëdo reforme tjetër, për shkak se ajo është reforma që mundëson reformat e tjera’’ u shpreh kryeministri.

Përveç funksionimit të mirë të institucioneve, kryeministri veçoi se reforma e Administratës Publike gjithashtu sjell përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, rritjen ekonomike, drejtësinë dhe punësimin, e rrjedhimisht edhe integrimin evropian e euro-atlantik.

“Andaj ne jemi të përkushtuar që këto reforma t’i bëjmë realitet”, tha Kurti.

Ai përmendi dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë, përmes të cilit tha se kemi krijuar mekanizma, ndër të tjera, edhe për rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike; rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore dhe këtu me theks të veçantë tek bashkatdhetarët tanë e mërgata jonë; hapja e sistemit për përfshirjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese; përfaqësimin e drejtë të komuniteteve jo shumicë në çdo kategori; mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara; jetësim i konceptit të karrierës dhe mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale.

Ndërkaq duke folur për Ligjin për Pagat e Zyrtarëve Publik, kryeministri Kurti theksoi se ai mundëson shpërblim meritor për zyrtarët publikë, duke hequr padrejtësitë, arbitraritetet dhe keqpërdorimet.

“Kemi kaluar nga një gjendje kaotike me 58 akte normative që rregullonin pagat në vetëm një ligj gjithëpërfshirës, nga 58 në 1; nga 170 shtesa e bonuse të ndryshme, pa asnjë kriter dhe procedurë, në vetëm 15 shtesa mirë të definuara e me kritere e procedura të qarta, pra nga 170 në 15, nga 58 në 1” deklaroi ai, teksa shtoi se dallimi në mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë, ka kaluar nga 20 herë sa ishte në vetëm 4.78 herë duke vlerësuar se ky raport i ndihmon luftimit të pabarazisë së brendshme, por edhe dinjitetit njerëzor e ekonomisë në përgjithësi së jashtme.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se kjo konferencë ndërkombëtare që është e para e këtij lloji që organizohet në Kosovë, tregon se synimi ynë për një administratë shtetërore moderne dhe efikase nuk ishte vetëm një premtim.

Ai theksoi se janë këmbëngulës që administratën publike ta kthejnë në një shërbim të përkushtuar për mbështetje të zhvillimit shoqëror, forcimit të shtetit e ngritje të shërbimeve për secilin qytetar e komunitet, të bindur se kjo është mënyra më e mirë për arritjen e objektivave qeveritare për mirëqenie e zhvillim. /Telegrafi/

Exit mobile version