Site icon Telegrafi

Kurti reagon për vdekjen e Navalnyt: Thirrje për të gjithë për ta parë autoritarizmin ashtu siç është

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se disa orë më parë në Konferencën e Sigurisë në Mynih ka dëgjuar për vdekjen e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny.

Kurti ka bërë të ditur se për vdekjen e kritikut më të zëshëm të Vladimir Putinit ka dëgjuar nga bashkëshortja e tij, Yulia Navalnaya.

Lexo po ashtu Vdes në burg kritiku i Putinit, Navalny

Kreu i ekzekutivit kosovar më tej është shprehur se vdekja e Navalnyt është thirrje për të gjithë për të parë autoritarizmin ashtu siç është.

“Vdekja e raportuar e Navalnyt është një thirrje për të gjithë për të parë autoritarizmin ashtu siç është, një gatishmëri për të vrarë dhe torturuar këdo që kërcënon kontrollin e ngushtë të pushtetit”, ka shkruar ai në rrjetin social “X”.

Udhëheqësi më i rëndësishëm i opozitës ruse për dekadën e fundit, Alexei Navalny, ka vdekur në burg, raportuan mediat ruse të premten.

I parë si kritiku më i zhurmshëm i presidentit Vladimir Putin, Navalny po vuante dënimin prej 19 vjetësh burgim për vepra që konsiderohen gjerësisht të motivuara politikisht.

Nuk dihen ende shkaqet e vdekjes së tij. /Telegrafi/

Exit mobile version