Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë sot se rasti i Aleksandar Vulinit në Serbi tregon se përzierja helmuese e autokracisë dhe korrupsionit rrezikon edhe paqen dhe sigurinë në rajon.
Ai në një postim në Twitter i bën thirrje komunitetit ndërkombëtarë që të ndjekë vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Rasti i Aleksandar Vulin tregon se përzierja helmuese e autokracisë dhe korrupsionit rrezikon jo vetëm demokracinë dhe sundimin e ligjit, por edhe paqen dhe sigurinë, në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë… “, shkruan Kurti.
Kurti i është ‘bashkëngjitur’ thirrjes së Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian drejtuar BE-së që “ta ndjekë shembullin” e SHBA-së.
Aleksandar Vulin, drejtor i Agjencisë Shtetërore për Siguri (BIA) në Serbi, është vendosur në listën e zezë të SHBA-së, bëhet e ditur në faqen e internetit të Departamentit të Financave të SHBA-së.
Siç thuhet në shpjegim, Vulin është i përfshirë në “krimin e organizuar ndërkombëtar, tregtinë e paligjshme të drogës dhe shpërdorimin e detyrës publike”, transmeton Telegrafi.
Siç u tha më tej, Vulin mbajti një marrëdhënie reciproke me tregtarin serb të armëve Sllobodan Teshiq, i cili është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së, duke e ndihmuar atë të lëvizte lirisht dërgesat e tij të paligjshme të armëve përtej kufijve të Serbisë. /Telegrafi/
The case of Aleksandar Vulin demonstrates that the poisonous mix of autocracy & corruption endangers not only democracy & rule of law, but also peace & security, in the WB6 & beyond. I join @theprogressives‘ call for the int’l community to follow ??’s timely & justified decision. https://t.co/vbVDoKFEDJ
— Albin Kurti (@albinkurti) July 14, 2023