Qeveria e Kosovës në korrik kishte përgatitur një raport rreth marrëveshjeve të arritura ndër vite në bisedimet me Serbinë – i pari i këtij lloji prejse kanë filluar bisedimet.
Në raport kanë qenë renditur të gjitha marrëveshjet e arritura, historikun e tyre, implementimin deri tani, problemet e shfaqura dhe sfidat që paraqet secila marrëveshje veç e veç.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka rikujtuar raportin qeveritar për të cilin thotë se janë bërë pesë muaj që raporti është i bllokuar.
Sipas Kurtit ky raport nuk lejohet të futet në agjendë parlamentare e të dërgohet në seancë plenare për diskutim, shqyrtim e vlerësim.
“Që prej 9 korrikut 2018, raporti 41 faqesh mbahet i bllokuar! Duket që regjimi në fuqi nuk do që Kuvendi ta trajtojë shkallën e përmbushjes së marrëveshjeve dhe ndikimin e tyre në realitetin politik, shoqëror e institucional të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nuk duan të dihet se ku jemi dhe nga erdhëm, nuk duan të nxjerrim mësime nga e kaluara, sepse duan të përsëriten gabimet e njëjta, me nxitimin e vjetër drejt dialogut të ri”, ka shkruar Kurti në Facebook, përcjell Telegrafi.