Site icon Telegrafi

​Kurti: Qeveria u rrëzua pasi u kërkua një marrëveshje e shpejtë për copëtim të territoreve

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se nuk mund të ketë kthim të gjendjes para zgjedhjeve të 6 tetorit ashtu sikur po dëshiron, siç u shpreh, regjimi i vjetër.

Në një video-mesazh në Facebook, ai ka folur për punën e qeverisë në detyrë dhe të arriturat e saj gjatë tre muajve të fundit.

Ai ka thënë se për më pak se tre muaj kanë ulur shpenzimet dhe kanë ndaluar abuzimet me pozitat shtetërore.

Si pjesë e kësaj, ai ka përmendur shkarkimet e bordeve të ndërmarrjeve publike, të cilat kishin operuar me humbje, duke u kthyer në biznese familjare dhe duke mos i dhënë llogari shtetit.

“Hallat, dajat, tezet, miqtë e jaranët tash e tutje do t’i mbajnë mbledhjet familjare nëpër shtëpitë e tyre dhe jo nëpër bordet e institucioneve publike”, ka thënë Kurti.

Ai tha se Qeveria në detyrë po has në ‘rezistencën që dëshiron vazhdimin e status-quos nga regjimi i vjetër’.

“Ata e kanë shumë më vështirë se ne, sepse po duan të ndërtojnë një makinë kohore që të kthejnë vendin para 6 tetorit. Neve nuk na mungon dija dhe vullneti për të ndërtuar shtetin. Pengesë është krimi i organizuar dhe korrupsioni. Më vjen që keni përjetuar dramën e kulmuar me rrëzimin e qeverisë, më 25 mars. Arsye për rrëzim nuk kishte. Ajo u rrëzua për shkak të punës së mirë në luftimin e korrupsionit dhe çkapjen e shtetit”, tha Kurti.

Ai ka akuzuar partitë e tjera se po kundërshtojnë zgjedhje të reja, me qëllim të krijimit të një qeverie e cila do të bëjë marrëveshje të dëmshme në kurriz të Kosovës dhe se rruga e vetme drejt daljes nga gjendja aktuale është shkuarja në zgjedhje të reja pas përfundimit të pandemisë.

“Te ne pamë se disa akterë në vend se të fokusoheshin në luftimin e përbashkët të pandemisë, nisën luftimin e përbashkët të qeverisë dhe kryeministrit tuaj. Ata e ndihmuan virusin duke e dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Presidenti, opozita dhe partneri ynë i koalicionit u bënë bashkë që krizës shëndetësore, t’ia shtojnë edhe një krizë politike, e cila ishte e panevojshme dhe e ka vështirësuar betejën e qeverisë ndaj virusit. Arsyet e rrëzimit nuk kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit dhe as mbrojtjen e demokracisë. Qeveria u rrëzua sepse duan marrëveshje të shpejtë për gjendje të jashtëzakonshme e copëtim të territoreve të cilave nuk mund t’i bënin me mua si kryeministër”, ka thënë Kurti.

Duke folur rreth letrave të presidentit Hashim Thaçi dërguar kryetarit të LDK-së Isa Mustafa për emrin e mandatarit dhe mos publikimit të marrëveshjes së LDK-së me Listën Serbe për koalicion, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se një gjë e tillë është antikushtetuese.

Kurti ka folur edhe për gjendjen me koronavirus, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore për luftën kundër përhapjes së COVID-19.

Ai po ashtu ka folur edhe për masat e ndërmarra nga qeveria për të shpëtuar ekonominë në këtë kohë pandemie, teksa ka paralajmëruar edhe pakon e dytë për rimëkëmbje ekonomike, e cila do të jetë më e madhe se ajo e para.

Exit mobile version