Site icon Telegrafi

Kurti: Qeveria Koti në koordinim me presidentin po shpërblen vëllezërit e ministrave me grada të ambasadorëve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se qeveria aktuale në koordinim me presidentin e vendit, Hashim Thaçi po i shpërblejnë vëllezërit e ministrave me grada të ambasadorëve, ndërsa theksoi se vendimet e veprimet e parregullta po e rëndojnë situatën në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës.

Lideri i LVV-së, tha se Qeveria aktuale po emëron njerëz papërvojë në pozitat e diplomatëve, kurse po tejzgjatë sipas tij edhe mandatet e fëmijëve të ministrave të PDK-së.

“Vendimet e mira të qeverisë sonë po sfidohen nga qeveria koti edhe te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Kur Republika e Kosovës gjendet në pozicionin e saj më të dobët ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë, vendime e veprime të parregullta vetëm sa po e rëndojnë situatën duke cenuar potencialin e MPJD-së dhe të shërbimit të jashtëm të Republikës. Ne parashihnim auditimin e gradave diplomatike, ndërsa qeveria koti në koordinim me presidentin po shpërblen vëllezërit e ministrave me grada të ambasadorëve; përderisa ne po realizonim një proces profesional të rotacionit diplomatik, qeveria koti tejzgjatë mandatet e fëmijëve të ministrave dhe të figurave të PDK-së; ne ishim duke vendosur rregull përbrenda ministrisë, qeveria koti me transfere e rrokada sjell njerëz partiak e pa përvojë diplomatike në pozita të larta përbrenda MPJD-së; ne po krijonim hapësirë për diplomatët e karrierës, tash qeveria koti po kthen në shërbim konsuj të paligjshëm partiak”, shkruan Kurti.

Kurti tha se shërbimi i jashtëm duhet të përbëhet nga diplomatë të disiplinuar dhe me përgatitje të larta, kurse sipas tij zgjedhjet e reja do të mundësonin që të gjithë familjarët e qeveritarëve që janë pjesë në shërbimet diplomatike jashtë vendit, të ktheheshin në gjirin e tyre familjar.

“Shërbimi i jashtëm duhet të përbëhet nga diplomatë të disiplinuar dhe me përgatitje të lartë, me dije të gjerë e kulturë të thellë, të cilët punojnë për mbrojtjen dhe përparimin e interesave të vendit e jo të shndërrohet në shërbim familjar që shpenzon buxhetin shtetëror për mirëqenien personale të anëtarëve të partive dhe familjarëve të qeveritarëve. Shërbimi i jashtëm nuk është shërbim arsimor e shëndetësor për familjarët e qeveritarëve. Zgjedhjet e reja mundësojnë kthimin e këtyre në gjirin e tyre familjar në Kosovë”, shkruan Kurti.

Kurti theksoi po ashtu se “sipas modelit të regjimit të vjetër, çmimi i emërimit klientelist u pagua jo rrallë me lobime për pazare personale: prej librit të presidentit deri te projekti për pazare territoriale me Serbinë. Shërbimi i jashtëm duhet të jetë besnik ndaj Republikës dhe interesave kombëtare. /Telegrafi/

Exit mobile version