Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare Vetëvendosje dhe LDK-Alternativa , për debat lidhur me programin e Qeverisë Haradinaj.
Edhe pse kabineti qeveritar nuk po merr pjesë, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka nisur debatin duke thënë se kjo Qeveri është Qeveria më e dobët në Kosovën e pasluftës.
“Shumica e ministrave janë asistent ë shefave, e shumica nga ta nuk kanë lidhje me dikasteret që do të udhëheqin. Ka shumë ministra sepse ka shumë kryeministra”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se Qeveria Haradinaj është formuar sepse “as Vuçiqi e as PAN-i nuk mund ta shohin VV-në në qeverisje”
Duke folur rreth ndarjes së ministrive, Kurti ka shtuar se si kjo Qeveri ia ndanë Ministrinë e Bujqësisë, Listës Serbe.
“Si do të mund tu dalin dhe tu thonë bujqve e blegtorëve se subvencionet do t’i marrin nga Serbia. Me këtë ata i kanë dhënë mundësi të mirë Serbisë që ti realizojë planet e saj për konolozim dhe ndarje të Kosovës”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se dhënia e kësaj ministrie është esenca e pazarit të kësaj qeverie me Serbinë. /Telegrafi/