Telegrafi

Kurti priti xhudistët kampionë të Evropës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministren Daulina Osmani, kanë pritur të martën në kabinetin e tij xhudistët kosovarë, të cilët u kthyen me suksese të mëdha nga Kampionati Evropian i xhudos.

Së bashku me xhudisten Distria Krasniqi, e cila fitoi medaljen e artë në kampionat, xhudistin Akil Gjakova, i cili po ashtu fitoi medalje të artë dhe Nora Gjakova medaljen e bronztë ishin edhe trajneri i tyre, Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.

Kurti uroi xhudistët për performancat e tyre në kampionatin evropian që u zhvillua më 16-18 prill, në Lisbonë të Portugalisë. Ai falënderoi kryetarin e Federatës së xhudos dhe trajnerin Driton Kuka për punën e pandalshme dhe kontributin e tyre për konsolidimin e imazhit shtetëror në arenën ndërkombëtare.

“Është kënaqësi shumë e madhe të shoh Kosovën të renditet e para në mesin e 45 shteteve të Evropës”, është shprehur kryeministri, i cili me urim të veçantë iu drejtua xhudistit Akil Gjakova, i cili për herë të parë u shpall kampion i Evropës dhe solli medaljen e parë ndërkombëtare në kategorinë e meshkujve.

Gjatë takimit u diskutua për qytetin e Pejës si vend me histori dhe traditë në sportin e xhudos, dhe kreu i Qeverisë vuri në pah faktin se si një lagje e Pejës po prodhon kampionë të nivelit ndërkombëtar.

Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka dhe trajneri Driton Kuka e uruan kryeministrin për detyrën, duke i dëshiruar suksese dhe veçanërisht i kërkuan mbështetje për rregullimin e problematikave me të cilat sfidohet sektori i sportit.

Kuka shpalosi pritshmëritë e tij për Lojërat Olimpike ‘Tokyo 2020’, teksa tha se “reprezentacioni jonë ka mundësi të mëdha për të fituar medalje Olimpike”.

Ministri Çeku dhe zëvendësministrja Osmani shprehën gatishmërinë e tyre për përkrahjen maksimale të sportistëve kosovarë, duke shpresuar se edhe sportet e tjera do të ndjekin rrugën e sukseseve të sportit të xhudos.