Telegrafi

Kurti priti në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, biseduan për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad, me të cilin ka biseduar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë dhe mundësitë për thellimin e tyre me theks të veçantë bashkëpunimin në sektorin e energjisë.

“Kurti falënderoi Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Bjørnstad për mbështetjen e deritanishme të Norvegjisë për Republikën e Kosovës dhe për kontributin e vazhdueshëm për zhvillimin dhe sigurinë e rajonit. Ndërkaq, e njoftoi për të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që lamë pas në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin demokratik dhe ekonomik”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Më tej thuhet se në këtë takim gjithashtu u diskutua për çështjet rajonale si dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për intensifikim të tij drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. /Telegrafi/