Site icon Telegrafi

Kurti priti në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, flasin për marrëveshjet e arritura mes dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pritën në takim Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Bledar Çuçi dhe ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Në njoftimin e bërë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm në mes dy vendeve tona, me theks në fushën e sigurisë.

“Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Çuçi u shpreh se bashkëpunimi dhe komunikimi në mes dy ministrive përkatëse mund të merret si shembull dhe model i bashkëpunimit ndërinstitucional në mes Kosovës dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim

Më tej, në njoftim thuhet se në këtë takim të sotëm, që u mbajt një javë para mbledhjes së shtatë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, e cila do të mbahet me 26 nëntor, u bisedua edhe për marrëveshjet e deritanishme në mes dy vendeve tona dhe ato potenciale të reja në fushën e sigurisë

“Kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla u shprehën vullnet plotë për intensifikimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve në fushën e sigurisë, si fushë e interesit të përbashkët”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version