Telegrafi

Kurti priti në takim kryetaren e FSSHK-së, flasin për kontratën kolektive e Ligjin e Pagave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, pritën të shtunën në takim kryetaren e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri.

Gjatë këtij takimi, u fol për rëndësinë e dialogut social ndërmjet Qeverisë e sindikatave si dhe kontratën kolektive.

“Të dy palët u dakorduan për dinamizim të këtij procesi të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti foli edhe për Ligjin e Pagave që tashmë ka disa muaj që është në fuqi dhe i cili Ligj “ka siguruar mjekëve dhe punëtorëve shëndetësorë paga më të dinjitetshme, teksa mjeku specialist në Kosovë me këtë ligj ka një nga pagat më të larta në Ballkanin Perëndimor”./Telegrafi/