Telegrafi

Kurti priti në takim ambasadorin e Zvicrës

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e Zvicrës, Jean-Hubert Lebet, zëvendësshefen e Misionit, Pauline Menthonnex Gacaferri dhe zëvendësdrejtorin e Zyrës zvicerane për Bashkëpunim, Bernhard Soland.

Ambasadori Lebet shprehu gatishmërinë e tij që t’i bashkërendoi veprimet me Qeverinë e Republikës së Kosovës për temat të cilat e preokupojnë këtë të fundit si dhe janë të gatshëm të ofrojnë ndihmesën e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti e njoftoi ambasadorin me punët me të cilat po merret Qeveria, ku tani si prioritete kryesore janë fuzionimi i ministrive, draft-buxheti për vitin 2020 dhe se Zyra për Planifikim Strategjik është duke e përgatitur draft-programin qeverisës duke u mbështetur në marrëveshjen e dakorduar politike mes partnerëve të koalicionit.

Ambasadori Lebet ia dorëzoi Kryeministrit Kurti edhe urimin e Presidentes së Konfederatës së Zvicrës, znj. Simonetta Sommaruga në të cilin Kryeministri urohet që të ketë suksese në zyrën e tij dhe se shteti i Zvicrës do të jetë bashkëpunues për zhvillimin e vendit dhe përherë afër në ruajtjen e paqes.​/Telegrafi/