Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar së bashku me një delegacion shoqërues ka arritur në Republikën e Kosovës ku do të qëndrojë për vizitë zyrtare edhe gjatë ditës së nesërme.
Në aeroportin e Prishtinës kryeministrin Leo Varadkar, e mirëpriti kryeministri Albin Kurti me bashkëpunëtorë.
“Mirë se vini në Republikën e Kosovës, z. Varadkar”, ka shkruar Kurti në Facebook duke postuar disa fotografi.
Kurti poashtu kujtoi se Varadkar po bën vizitën e parë ndonjëherë të një kryeministri irlandez në Kosovë.
Nga data 10 deri më 11 janar 2024, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare Kryeministri i Irlandës, zotëri Leo Varadkar së bashku me një delegacion shoqërues.
Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit, afër objekteve shtetërore si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta.
Me këtë rast do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Gjatë se enjtes Kurti do ta pres në takim zyrtar kryeministrin e Irlandës, Varadkar derisa së bashku do t’i drejtohen mediave në ora 10:30.
Me mikun nga Irlanda do të takohet edhe presidentja Vjosa Osmani në ora 11:00./Telegrafi/