Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe për takimin e sotëm të cilin do ta zhvillojnë në orën 15:00 me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Kurti tha se në këtë takim pret t’i paraqiten opsione të reja nga ana e dy përfaqësuesve për reciprocitet me Serbinë.
Ai tha se në takimin e fundit në Bruksel ka pasur opsione, por se sot siç tha ai pret diçka të re në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, ligjshmërinë e saj si dhe në frymën e parimit të reciprocitetit.
“Së pari ka pasur opsione dhe do të ketë takim dhe sot. Por ato opsione duhet të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën tonë dhe me reciprocitet. Nuk mund të ketë dialog pa frymë, e fryma është reciprociteti. Jemi duke e respektuar reciprocitetin si frymë të dialogut. Duhet ta shohim takimin e sotëm a kanë opsione të reja. Opsionet që Kosova duhet të prodhoj targa neutrale për vetveten nuk mund të vijnë në konsiderim. RKS janë tabelat e Kosovës dhe kjo është në përputhje me zotimet e Beogradit të bëra në Bruksel”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/