Telegrafi

Kurti pret delegacionin nga shteti i Iowa-s, vlerësohet bashkëpunimi ushtarak

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim delegacionin nga shteti i Iowa-s që po qëndron në Kosovë, i përbërë nga profesionistë të fushave të ndryshme, ushtarakë, akademikë e gazetarë.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për partneritetin e fortë dhe marrëdhënien speciale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s. Ai i falënderoi për mikpritjen gjatë vizitës zyrtare atje.

U theksua potenciali për rritje të bashkëpunimit dhe u bisedua për krijimin e mundësive të reja për rritjen e investimeve në sektorin e energjisë, ekonomi, tregti dhe teknologji të informacionit, si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta. U vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ushtarak dhe ai në fushën civile, ndërsa u veçua bashkëpunimi ndërmjet universiteteve të të dyja vendeve.

Në emër të delegacionit të Iowa-s, ish gjenerali Orr u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë partneritet.

Në takimin e përbashkët me Zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe shefin e Misionit në Konsullatën e Iowa-s, Artan Duraku, u theksua gatishmëria e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin dhe forcuar partneritetin, në të gjitha fushat zhvillimore.

Edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, së bashku me Zëvendësministren, Liza Gashi, kanë pritur sot në takim delegacionin nga shteti i Iowa-së.

Zëvendëskryeministrja, duke i falënderuar ata për vizitën, ka thënë se miqësia dhe lidhja e ngushtë me shtetin e Iowa-së, është shumë e rëndësishme dhe e çmuar për Republikën e Kosovës.

Gërvalla, ka thënë se kjo vizitë gjithashtu shërben për forcimin edhe më tej të lidhjes mes dy shteteve, dhe është një mundësi e mirë për të mësuar nga njëra tjetra, dhe për të shkëmbyer përvoja të ndryshme.

Delegacionin prej 40 personash, përfshirë gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe të tjerë, e përshëndeti me një fjalë rasti edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

Ajo ka thënë se Republika e Kosovës është shumë e interesuar për të thelluar bashkëpunimin me shtetin e Iowas, dhe se po punojnë në këtë drejtim së bashku me Iowa Sister State.

Përfaqësues të këtij delegacioni, e kanë falënderuar ministren Gërvalla për pritjen, duke thënë se ata janë të lumtur që kanë miq kaq të mirë në Kosovë, dhe se shteti i Kosovës, është dhe do mbetet përherë një vend mik për ta.

Të dyja palët kanë shkëmbyer dhurata në shenjë falënderimi e miqësie./Telegrafi/