Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar miratimin e Projektligjit për paga, por ka thënë se hartimi i tij nuk është i lehtë dhe nuk duhet nxituar.
Ai në debatin parlamentar për pagat në sektorin publik, tha se projektligji do të zgjidhë problemet thelbësore të pagave dhe nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.
“Hartimi i këtij ligji nuk është i lehtë dhe ne jemi të vetëdijshëm që ky ligj nuk u bë për 22 vite. Ajo që nuk u bë për dy dekada nuk duhet të bëhet me nguti. Ligjin për paga do ta bëjmë, por do ta bëjmë ligj të mirë që zgjidhë problemet thelbësore të pagave e që nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën. Qeveria është e përkushtuar që t’i japë fund vendimeve ‘ad hoc’ të ministrave dhe të drejtorëve të agjencive për rritjen e pagave sipas preferencave dhe lidhjeve familjare. Me të marrë mandatin ne kaluam nga një kabinet me 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe mbi 80 zëvendësministra, pra në një kabinet minimalist. Kemi ulur shpenzimet qeveritare dhe janë rritur të hyrat”, ka thënë Kurti, transmeton KP.
Kryeministri Kurti ka thënë se ish qeveritarët kanë aprovuar Ligjin për paga pasi së pari ia kishin rritur pagat vetës, me vendim të Qeverisë.
Kurti ka thënë se Ligji i pagave i hartuar nga Qeveria e PAN-it ka betonizuar kaosin në administratën publike.
“Ligji i pagave i hartuar nga qeveria e PAN-it dhe i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese garantohet betonizim të kaosit, i cili edhe ashtu vit pas vitit këto 20 vite ishte instaluar në administratën publike. Gjatë viteve 2018-19 kemi parë shpjegime të paqëndrueshme mbi Ligjin për pagat nga ish qeveritarët dhe ish mazhoranca, të cilët e aprovuan atë ligj pasi që se pari ia kishin rritur pagat vetës me vendim të Qeverisë e më pas as nuk e buxhetuan atë në vitin 2019”, ka thënë Kurti.
Tutje ai fajësoi qeveritë e kaluara, për siç tha nguti sa i përket Ligjit të Pagave.
Ai tha se Ligji i pagave ka qenë i dobët dhe si i tillë, siç tha ai, i ka bërë dëm shtetit.
“[Për miratimin e Ligjit nga Qeveria Haradinaj] Një ligj i dobët i cili më shumë se dobi i bëri dëm shtetit. Thuhej se sistemi i pagave po ndërtohej mbi bazën e barazisë dhe jo diskriminimit, por na ofron një alternativë të mbushur me pabarazi dhe diskriminim. Rriten paga pa pasur rritje ekonomike, rritën paga për pazare politike, aq shumë sa 40 për qind të pozitave nuk e dinin aq sa i kishin klasifikuar. Më shumë se 34 mijë zyrtarë të shtetit nuk e gjenin vetën në këtë ligj dhe ata që e gjenin ishin me shumicë të pakënaqur”, shtoi Kurti.
Duke folur për rritjen e pagave, Kurti tha se rritja e ekonomike duhet të reflektohet më shumë në rritjen e punësimit.
“Rritja ekonomike para se gjithash dhe mbi të gjitha duhet të reflektohet në rritje të punësimit. Sindikatat duhet të forcohen t’i mbrojnë interesat e të punësuarve në sektorin publik, por duhet të kenë parasysh të mbrojnë interesat edhe të qytetarëve që paguajnë taksa dhe presin shërbime cilësore, transparencë dhe llogaridhënie për të mbrojtur interesat e shtetit dhe jo ato të grupeve të caktuara”, theksoi ai.