Telegrafi

Kurti pranon urime nga kryeministri Rutte: Holanda mbështet Kosovën në përpjekjet për luftim të korrupsionit dhe sundim të ligjit​

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër urim nga homologu i tij holandez, Mark Rutte.

Në letrën e tij, kryeministri Rutte e ka uruar kryeministrin Kurti për pozitën e re.

“Vendet tona, sikurse edhe pjesa tjetër e Evropës, janë duke u përballur me një sfidë të papërshkrueshme siç është ajo nga COVID-19”, thuhet në letër.

Kryeministri Rutte shprehet i kënaqur që Bashkimi Evropian ka pasur mundësinë që t’i ndihmojë Kosovës nëpërmjet pakos ndihmuese për Ballkanin Perëndimor dhe mekanizmit COVAX për sigurimin e vaksinave të sigurta kundër COVID-19.

Ngjashëm i kishte dalë në ndihmë vitin e kaluar Kosovës Holanda edhe nëpërmjet donacionit bilateral për pajisje personale mbrojtëse për Qendrën e Klinikave Universitare të Kosovës, thuhet në njoftim.

Kryeministri Rutte e ka siguruar Kurtin se Holanda e mbështetë Kosovën me gjithë zemër në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit.

“Për këtë thotë ai, ju si kryeministër e keni marrë një mandat të fortë nga populli i Kosovës, që së bashku me zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore përbëjnë elementet kryesore të Kosovës drejt Evropës dhe integrimit evropian. Holanda është e përkushtuar ndaj rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian, thuhet në letër urimin e kryeministrit të Holandës, Mark Rutte”. /Telegrafi/