Site icon Telegrafi

Kurti: Po punojmë në krijimin e Institutit që do t’i dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës

Kryeministri Albin Kurti këtë të diel ka deklaruar se qeveria e udhëhequr nga ai është duke punuar në krijimin e një Instituti, i cili do t’i dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Po ashtu, ka thënë se janë duke punuar zellshëm në hartimin e strategjisë për drejtësinë tranzicionale.

Këto deklarata ai i ka bërë në llogarinë e tij në Facebook, ku ka shkruar se kanë kaluar tri vite që ka mungesë të ndjekjes së krimeve të luftës.

“Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës mundëson gjykimin në mungesë. Para tri vitesh, kërkesa e pashtershme për drejtësi për viktimat, ka sjellë deri te miratimi i një norme të këtillë juridike që mundëson mbarëvajtje të procesit gjyqësor pa praninë e të akuzuarit”, ka shkruar Kurti.

“Qeveria pret angazhim me të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës. Për këtë, brenda vitit të parë kemi shtuar buxhetin për rritjen e numrit të prokurorëve special dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Po ashtu, po punojmë në krijimin e Institutit që do dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës, e po punojmë zellshëm në hartimin e strategjisë për drejtësinë tranzicionale”.

Mes tjerash, ai ka thënë se kriminelët e luftës duhet dënuar dhe për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme përgjegjësia më e lartë institucionale, në radhë të parë e Prokurorisë Speciale e pastaj e tërë sistemit.

“Krimet e luftës nuk parashkruhen, por ditët e vitet ikin shpejtë. Me këto ikin edhe ata të cilëve shteti u ka borxh vënien e drejtësisë për familjarë të vrarë e për dhimbjen e papërballueshme e cila po mbetet pa përgjigje”.

“Kriminelët e luftës duhet dënuar dhe për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme përgjegjësia më e lartë institucionale, në radhë të parë e Prokurorisë Speciale e pastaj e tërë sistemit. Pesha e përgjegjësisë e organeve të drejtësisë tejkalon atë profesionale dhe imponon veprim efikas. Këtë e kemi borxh”, ka përfunduar kreu i ekzekutivit. /Telegrafi/

Exit mobile version