Site icon Telegrafi

Kurti: Përmirësimi i edukimit, rritja e cilësisë dhe ekselencës do të mbeten synim kryesor dhe betejë e vazhdueshme për qeverinë tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në përurimin e çerdhes së parë publike në Prizren, për të cilën tha se është një ngjarje shumë e rëndësishme. Aty do të edukohen 240 fëmijë në 12 paralele, 10 në gjuhën shqipe, një në atë boshnjake dhe tjetra në turke, ndërsa familjet e fëmijëve të dëshmorëve, fëmijëve me nevoja të veçanta dhe atyre të cilët janë në asistencë sociale nuk do të kenë nevojë që të paguajnë për këtë çerdhe.

“Edukimi cilësor nuk mund dhe nuk duhet të jetë privilegj për disa, por e drejtë e garantuar për të gjithë, në mënyrë që secili të realizojë potencialin e saj dhe të tij”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se shërbimet cilësore në fëmijërinë e hershme mund të ndryshojnë trajektoren e zhvillimit të një fëmije, familjes dhe komunitetit në përgjithësi.

Kurti më tutje, në fjalën e tij, tha se përmirësimi i edukimit, rritja e cilësisë dhe ekselencës do të mbeten synim kryesor dhe betejë e vazhdueshme për qeverinë.

“Pra duhet të kujdesemi që të kemi hapësirat e nevojshme, pajisjet, edukatorët dhe teknologjinë, në mënyrë që si shoqëri të fitojmë betejën me të ardhmen”, tha Kryeministri Kurti.

Fjale e plotë e Kryeministrit Kurti në këtë ceremoni:

“I nderuar kryetar i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka,

E nderuara zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës, znj. Emilija Rexhepi,

E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,

Të nderuar drejtorë,

Të dashur nxënës dhe prindër,

Të nderuar të pranishëm,

Siç e dini unë kam folur shpesh për edukimin.

Kam folur për rëndësinë që kanë mësuesit në suksesin e nxënësve. Përgjegjësinë që ata kanë për të inspiruar dhe për të shtyrë nxënësit drejt mësimit dhe kam thënë se kur fëmija hyn në klasë nuk ka rëndësi se prej nga vjen e çfarë statusi kanë prindërit e tij apo saj, por rëndësi ka se kush është mësuesi ose mësuesja. Kam folur gjithashtu edhe për rëndësinë e prindërve që kanë ndaj fëmijëve për t’u siguruar që fëmijët i bëjnë detyrat e shtëpisë dhe kufizojnë kohën në televizor, tabletë apo video-lojëra.

Por, kam folur edhe për përgjegjësinë që ka shteti si rregullator e mbikëqyrës, dhe si kujdestar për sigurimin e mundësive të barabarta dhe të mirëqenies sonë të përbashkët.

Në Prizren nuk ka pasur asnjë institucion parashkollor publik, por kemi 8 të tilla private e më në fund sot kemi edhe një ngjarje kaq të rëndësishme me rastin e hapjes së çerdhes së parë publike në qytetin e Prizrenit. Pra një çerdhe që i takon fëmijëve, prindërve dhe shoqërisë. E në veçanti mua më bëhet zemra mal kur marr vesh se këtu do të jenë 240 fëmijë në 12 paralele, 10 në gjuhën shqipe, 1 në atë boshnjake dhe 1 turke, fëmijë të Prizrenit të cilët do të edukohen nga edukatorët që do të kujdesen për të formësuar karakterin e tyre dhe për t’i mësuar para shkollës që do t’i mësojë më pas.

Pra çerdhja është vendi në të cilin fëmija për herë të parë e takon shtetin dhe i merr hapat e arsimit e të jetës së ardhshme personale, pra individuale, por edhe shoqërore.

Në programin tonë qeveritar ne i kemi kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve duke ndarë 20 euro në muaj për fëmijët nën moshën 2 vjeçare dhe jemi zotuar se në katër vitet e ardhshme do të hapim 160 çerdhe të reja. Këtë do ta bëjmë sepse e ardhmja e fëmijëve tanë varet nga kujdesi dhe edukimi që ata e marrin sot.

Edukimi cilësor nuk mund dhe nuk duhet të jetë privilegj për disa, por e drejtë e garantuar për të gjithë, në mënyrë që secili të realizojë potencialin e saj dhe të tij. Prandaj, sërish më vjen shumë mirë që familjet e tri kategorive të fëmijëve nuk do të kenë nevojë të paguajnë për këtë çerdhe që po e përurojmë sot: fëmijët e dëshmorëve, fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët e atyre të cilët janë në asistencë sociale.

Është evidente se periudha e fëmijërisë së hershme është faza më e rëndësishme e zhvillimit të fëmijës që e përcakton mirëqenien, shëndetin, të mësuarit dhe sjelljen social-emocionale të një individi gjatë gjithë jetës. Shërbimet cilësore në fëmijërinë e hershme mund ta ndryshojnë trajektoren e zhvillimit të një fëmije, familjes dhe komunitetit në përgjithësi. Hulumtimet tregojnë se fëmijët me edukatorë të cilësisë së lartë për tre vite radhazi arrijnë 50% rezultate më të mira sesa ata me edukatorë të cilësisë së ulët në të njëjtën periudhë kohore. Në fëmijërinë e hershme mësohet disiplina, lulëzon kureshtja dhe ushqehet imagjinata, prandaj edhe në këtë aspekt çerdhet janë tejet të rëndësishme e të pazëvendësueshme.

Për të siguruar suksesin e fëmijëve tanë duhet të sigurojmë se të gjitha hallkat funksionojnë. Pra shteti duhet të bëjë punën e tij duke siguruar kushte të barabarta për të gjithë fëmijët dhe standarde të cilësisë nga mësuesit, mirëpo mësuesit dhe prindërit duhet të bëjnë pjesën e tyre dhe kështu së bashku do të krijojmë një të ardhme të sigurt për fëmijët.

Në shekullin 21 fëmijëve u duhet të përballen me ndryshime të mëdha shoqërore. Fëmijët që hyjnë në shkollë në vitin 2021 do të jenë gati për treg të punës në vitin 2040. Rrjedhimisht çerdhet e shkollat tona do të duhet t’i përgatisin për vende të punës që ende nuk janë krijuar, për teknologji që ende nuk janë shpikur dhe për të zgjidhur probleme që ende nuk kanë ndodhur.

Pra duhet të kujdesemi që të kemi hapësirat e nevojshme, pajisjet, edukatorët dhe teknologjinë në mënyrë që si shoqëri të fitojmë betejën me të ardhmen.

Përmirësimi i edukimit, rritja e cilësisë dhe ekselencës do të mbeten synim kryesor dhe betejë e vazhdueshme për qeverinë tonë.

Unë e përgëzoj komunën për hapjen e kësaj çerdhe në Prizren dhe fëmijëve, prindërve dhe edukatorëve ju dëshiroj shumë sukses.

Urime 1 Qershori, Dita e Fëmijëve e urime kjo çerdhe jo vetëm fëmijëve, por edhe prindërve e gjithë komunitetit.

Faleminderit”. /Telegrafi/

Exit mobile version