Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar sot ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.
Kurti, pasi ka falënderuar ambasadorin Heldt për qëndrimin parimor dhe të fortë të Kancelares Angela Merkel në mbrojtje të shtetësisë dhe integritetit te Kosovës, ka shpalosur kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj dialogut joparimor e të papërgjegjshëm që po zhvillon presidenti Thaçi.
Sipas njoftimit të LVV nga ky takim, Kurti ka thënë se “Përdorimi i togfjalëshve si ‘korrigjim kufijsh’, ‘shkëmbim territoresh’, apo ‘kompromise të dhimbshme’, vetëm sa i kanë inkurajuar pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës”.
Më tej thuhet se Kurti ia ka përkujtuar ambasadorit gjerman se Kuvendi i Kosovës, më 7 dhjetor 2011, miratoi rezolutën për reciprocitet me Serbinë, por ajo shpejt u anulua gjashtë javë më pas, më 20 janar 2012, nga një rezolutë e koalicionit qeverisës, të prirë asokohe nga PDK-ja dhe Thaçi.
“Reciprociteti i plotë mes Kosovës e Serbisë është rruga për raporte të mira fqinjësore dhe parimi rreth së cilit duhet të bashkohen forcat politike në Kosovë”, ka thënë Kurti, përcjell Telegrafi.
“Pas kundërshtimit ndërkombëtar që përjetoi dhe fjalimit të Presidentit të Serbisë Vuçiq në Mitrovicë, iniciativës së Presidentit Thaçi, për të ecur para, i nevojiten incidente në terren, tensione të reja dhe destablizim i situatës. Prandaj, ne e mbajmë përgjegjës Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi për dhunën që mund të shfaqet”, citohet të ketë thënë Kurti.
Kryetari i Grupit Parlamentar Konjufca shtoi se Thaçi po vepron kokë më vete, nuk është zëri i popullit dhe nuk ka mbështetje në këtë aventurë personale tijën.
Në fund, bashkërisht u konstatua nevoja e vazhdimit të bashkëbisedimit edhe në të ardhmen. /Telegrafi/