Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar vrasjen e tre intelektualëve shqiptarë – Bajram Kelmendi, Agim Hajrizi dhe Latif Berisha – të cilët u ekzekutuan nga forcat serbe natën e 24 marsit 1999, në ditën kur nisën bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti tha se këta tre veprimtarë të çështjes kombëtare dhe mbështetës të luftës çlirimtare u sulmuan nga forcat serbe në shtëpitë e tyre.
“Policët e Serbisë hynë dhunshëm në shtëpinë e avokatit Bajram Kelmendi, një aktivist i shquar për të drejtat e njeriut. Ata e rrëmbyen atë bashkë me djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin, të cilët u gjetën të vrarë dy ditë më vonë”, tha Kurti.
Ai kujtoi edhe sindikalistin Agim Hajrizi, i cili u ekzekutua në shtëpinë e tij në Mitrovicë bashkë me nënën Nazmijen dhe djalin e tij 11-vjeçar, Ilirin.
Po atë natë, në veri të Mitrovicës, forcat serbe vranë intelektualin Latif Berisha, profesor universitar dhe kryetar i LDK-së në Mitrovicë.
Në 26-vjetorin e vrasjes së tyre, Kurti theksoi rëndësinë e kujtimit të jetës dhe veprës së tyre.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, përfundoi ai./Telegrafi/