Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar protestën studentore të vitit 1997.
Kurti thotë se ky ishte një momenti kur u thye heshtja dhe frika.
“Sot e 26 vite më parë, kumboi zëri i drejtësisë, si revoltë ndaj shtypjes dhe dhunës. Protesta studentore e 1 tetorit 1997, theu një heshtje dhe frikë të gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej guximi e dinjiteti”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Këtë datë të rëndësishme, Kurti bashkë me ish-studentë e pjesëmarrës në marshimin për liri e përkujtoi duke bërë homazhe tek varri i profesor Ejup Statovcit.
“Profesor Statovci ishte udhëheqës e prijës bashkë me studentët dhe organizatën e tyre gjithëpërfshirëse, Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës – UPSUP. Studentët, nuk ishin vetëm. Vepra e kontributi i tij i jashtëzakonshëm na frymëzoi të gjithëve. Universiteti i Prishtinës u ringjall ndonëse nën okupim dhe u bë institucioni i cili udhëheqte me rezistencën e atëhershme”, ka vijuar Kurti.
“Sot përkujtojmë dhe ish rektorin Zenel Kelmendi, i cili ndërroi jetë në gushtin e këtij viti. Ai ishte një udhëheqës i vendosur i Universitetit në vitet e para pas luftës, duke pasuar si rektor punën e profesor Statovcit dhe fuqizuar themelet e Universitetit të Prishtinës”.
Me 1 tetor 1997, studentët shprehën vullnetin e dëshirën për liri.
Kurti thotë se marshimi i asaj dite ishte për lirimin e hapësirave të ndaluara të kampusit universitar.
“Ne, marshuam paqësisht, për lirimin e hapësirave të ndaluara të kampusit universitar, drejt rrugës për arsim e edukim të lirë, të drejta të patjetërsueshme, liri e pavarësi”.
“Nderim e përulësi për secilin që ka kontribuar, që guxoi e nuk qëndroi duarkryq kundrejt shtypjes, padrejtësisë e okupimit serb”, ka shkruar tutje Kurti./Telegrafi/