Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Izbicës, ku u masakruan 147 shqiptarë nga forcat serbe.
Po ashtu Kurti ka përkujtuar edhe familjen Bogujevci, Duriqi, Llugaliu e Bogujevci nga Podujeva.
Kurti ka thënë se kriminelët serbë që i kryen ato vrasje janë ende të lirë.
“Asnjë pranverë, këtu e 21 vite, nuk mund ta shijojmë. Gjithandej Kosovës, për çdo ditë të këtyre muajve i përkujtojmë më të dashurit tanë, familjarët e shoqërinë tonë të cilët na i mori makineria fashiste e shtetit serb.
Sot, të paktën sot nëse jo për çdo ditë, njeriu duhet të mendoj për 147 burrat e djemtë e Izbicës së Skënderajt të vrarë mizorisht. Dhe, për familjen Bogujevci, Duriqi e Llugaliu nga Besiana: u pushkatuan 7 fëmijë nga mosha 2 vjeçare deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes së Saranda Bogujevcit. Serbia po fes tonte përmes krimit mbi shqiptarët: të dy këto masakra u kryen në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Kriminelët serbë që i kryen ato vrasje janë ende të lirë. Sigurisht se ka prej tyre që janë zyrtarë nëpër institucione shtetërore atje. Ndonjëri ushtarak a polic, të tjerë nëpër administratë e kushedi ku tjetër. Viktimat kanë emra e mbiemra, por edhe kriminelët po ashtu.
Dhimbjet i kemi të mëdha, kujtimet i kemi të freskëta. Vetëm drejtësia mund të pretendojë ngushëllim”, ka shkruar kryeministri në detyrë. /Telegrafi/