Telegrafi

Kurti përkujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin në 22-vjetorin e rënies heroike

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përkujtuar sot duke bërë homazhe tek përmendoret e heronjve, Fehmi  e Xhevë Lladrovci, për të cilët ndau edhe kujtime.

Kurti kujtoi që e ka festuar festën e 28 nëntorin në vitin 1997 në Gjermani, ndërsa tha se kishte menduar se “nëse luftëtari i UÇK-së është sa çereku i Fehmi Lladrovcit, s’ka gjë që na ndal”.

“Përveçse i burgosur politik, Fehmi Lladrovci ishte inxhinier i makinerisë nga Universiteti i Zagrebit. Nëse luftëtari i UÇK-së është sa çereku i Fehmi Lladrovcit, s’ka gjë që na ndal, mendova me vete”, shkruan Kurti.

Postimi i plotë:

28 nëntorin 1997 e kemi kremtuar bashkë në München të Gjermanisë. Mandej udhëtuam për Düsseldorf ku qëndruam një natë, para se të vazhdonim për Amsterdam prej nga fluturuam për ShBA.

Fehmi Lladrovci ishte siç ma kishte përshkruar Adem Demaçi: porsi prushi (“zharavë”, nofkë kjo e Bacës Adem për të nga koha e burgut në Stara Gradishkë të Kroacisë). Përveçse i burgosur politik, Fehmi Lladrovci ishte inxhinier i makinerisë nga Universiteti i Zagrebit. Nëse luftëtari i UÇK-së është sa çereku i Fehmi Lladrovcit, s’ka gjë që na ndal, mendova me vete.

Shoqata “Shqiponja”, e udhëhequr nga Lulzim Dragidella e pat organizuar atëbotë festën e 28 nëntorit 1997 në Gjermani, ku morëm pjesë bashkë me Bujar Dugollin, e ku takova Fehmi Lladrovcin e Rexhë Ibërdemajn. 

Mbresa të pashlyeshme sot teksa bëmë homazhe te përmendorja e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit që para 22 viteve ranë heronj bashkë me ushtaren Fatime Hetemi. /Telegrafi/