Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në 19 vjetorin e Betejës së Koshares ka thënë se “çdo hap shtetndërtues që e hedhim pa e kujtuar luftën çlirimtare, është hap i pasigurt”.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Beteja e Koshares është momenti i parë kur UÇK-ja e theu kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, kufi i cili ka qenë i vendosur dhunshëm, që në 1913 pasi që Serbia e kishte pushtuar Kosovën”.
Postimi i plotë i Kurtit:
“Sot kujtojmë me nderim e krenari Betejën e Koshares, e cila filloi në 9 prill 1999. Kjo betejë nisi kur Brigada 138 nën komandën e heroit Agim Ramadani sulmoi ushtrinë e regjimit jugosllav, duke hyrë në territorin e Kosovës, prej pjesës së Shqipërisë.
Në atë betejë morën pjesë mijëra ushtarë, nga të gjitha trojet shqiptare, e mbi 100 prej të cilëve ranë dëshmorë duke dhanë jetën për lirinë e kombit.
Beteja e Koshares është momenti i parë kur UÇK-ja e theu kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, kufi i cili ka qenë i vendosur dhunshëm, që në 1913 pasi që Serbia e kishte pushtuar Kosovën. Forcat e UÇK-së sulmuan në kundërpërgjigje të terrorit dhe spastrimeve mizore që kishte nisur t’i bënte Serbia në Kosovë. Çlirimtarët tanë heroikë u mbështetën edhe nga Ushtria e Shqipërisë, si edhe nga forcat e NATO-s.
I përulemi me respekt të thellë kujtimit të lavdishëm të dëshmorëve e heronjve të Kombit që ranë në Koshare, por edhe veteranëve të kësaj beteje.
UÇK-ja është themeli i lirisë sonë. Çdo hap shtetndërtues që e hedhim pa e kujtuar luftën çlirimtare, është hap i pasigurt” , ka shkruar Kurti. /Telegrafi/