Telegrafi

Kurti përkujton 24 vjetorin e masakrës së fshatrave Likoshan e Qirez të Drenicës

Kryeministri Albi Kurti, ka përkujtuar 24 vjetorin e Likoshanit e Qirezit, ku u vranë 24 civilë të pafajshëm nga forcat serbe.

“Helikopterë e makina ushtarake, përpara se forcat policore të hynin më këmbë për të bërë ç’të mundnin brenda, kishin qëlluar mbi lagjet, shtëpitë, çatitë.”

Kështu përshkruhet në një raport të organizatës për të drejtat e njeriut ‘‘Human Rights Watch”, data 28 shkurt 1998 në fshatrat Likoshan dhe Qirez, citon Kurti.

“Në këtë ditë ne përkujtojmë dëshmorët dhe martirët tonë, e asnjëherë nuk harrojmë krimin shtetëror të Serbisë”, tha ai.

Tutje u shpreh se ‘është obligim për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë, për të vrarët dhe familjarët e tyre, për të kaluarën e të ardhmen tonë, sjelljen e drejtësisë, duke i gjykuar dhe dënuar kriminelët serbë dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë’.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit”, shkroi Kurti./Telegrafi/