Site icon Telegrafi

Kurti përkujton 106 civilët e vrarë në Pastasel: Dëshmitë e kësaj masakre Prokuroria në Kosovë duhet t’i kthej në aktakuza

“Çdo vit, dita e mbrame e muajit mars, na rikthen sërish në Rahovec dhe konkretisht këtu në fshatin Pastasel, për ta përkujtuar dhe denoncuar krimin që Serbia e kreu këtu më 31 mars 1999, duke vrarë 106 civilë të paarmatosur shqiptarë”,  tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në tubimin përkujtimor në shënim të 25 vjetorit të kësaj masakre.

“Këtë vit po bëhen 25 vite prej kur vendi ynë është çliruar nga Serbia. Por derisa të arrijmë te 25-vjetori i çlirimit që është në mes të qershorit, tërë stina e pranverës është e mbushur me 25-vjetor të masakrave që shteti i Serbisë i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë”, tha Kryeministri, duke kujtuar masakrat dhe vrasjet e civilëve shqiptarë gjithandej Kosovës nga forcat serbe të cilat kryheshin të urdhëruara dhe koordinuara nga institucionet më të larta të sigurisë dhe ato politike të shtetit të Serbisë.

Kryeministri theksoi se adresa e parë e këtyre akuzave për këto krime bashkë me kriminelët e luftës veç e veç është Beogradi zyrtar, me trashëgiminë aq të madhe të përgjegjësisë penale ndërkombëtare dhe të fajit politik të shtetit të Serbisë, që edhe sot e kësaj dite strehon dhe mbron kriminelët e luftës dhe nuk bashkëpunon me drejtësinë për të gjitha krimet dhe masakrat të cilat kanë ndodhur në Kosovë.

Lexo po ashtu ​Kurti akuzon Serbinë për mohimin e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve

Ai tha se jo vetëm historia e masakrës së kryer në Pastasel më 31 mars, por edhe ajo e zhvarrosjes së trupave tre javë më vonë më 21 prill, sepse përpjekja e pushtetit të Serbisë për ta fshehur krimin e përforcon edhe më shumë lidhjen e krimit me kryerësit e krimit.

“Masakra e Pastaselit ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat nuk mund të injorohen dhe të cilat duhet të kthehen në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Ky është obligim i ne të gjallëve, për të vrarët, për drejtësinë, për ruajtjen e njerëzores dhe për historinë, sepse ajo që ka ndodhur një herë mund të ndodhë sërish, diku tjetër por mbi shqiptarë. Sepse Serbia e papenduar natyrisht që nuk ka ndryshuar qëndrim e qëllim”, shtoi ai.

Duke i përmendur dëshmitë e dëshmitarët, Kurti theksoi se çfarë duhet të ndodhë tash është që këto dëshmi Prokuroria në Kosovë t’i kthej në aktakuza.

“Për mirëqenien e këtyre fëmijëve, për të ardhmen e Pastaselit ne do të përkushtohemi maksimalisht, sepse e dimë që shteti që e gëzojmë dhe liria që e jetojmë i ka rrënjët e saj në gjakun e këtyre martirëve e dëshmorëve të kombit tonë, nga Pastaseli dhe nga mbarë Kosova”, tha ai në përmbyllje të fjalës.

Gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti, bëri homazhe në përkujtim të civilëve të vrarë më 31 mars 1999 në Burim të Malishevës.

“Te “Vrella e Mëhillit” në fshatin Burim të Malishevës janë ekzektuar 42 shqiptarë, vetëm pse ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në tokën e tyre stërgjyshore. Prej 10 vjeҫ deri në 90 vjeҫ. Siҫ thuhet edhe në lapidarin që është ngritur këtu e ju kushtohet atyre, varret e tyre janë historia jonë”, u shpreh kryeministri.

I shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe qytetarë e aktivistë të pranishëm, kryeministri tha se këto homazhe po bëhen që t’ja përkujtojmë edhe vetes edhe popullit, si qytetarë e si zyrtarë të institucioneve se sa i lartë ishte ҫmimi për lirinë tonë dhe se ku ndodhën rrënjët e shtetit që e gëzojmë./Telegrafi/

Exit mobile version