Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka përkrahur fushatën e bombardimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë e Francës ndaj Sirisë.
Kurti ka thënë që e përkrah paqen dhe nuk i gëzohet luftës, por sipas tij, agresioni mizor i Assadit nuk mund t’a lë askënd indiferent, sidomos kosovarët.
“Diktatorët duhet të lëshojnë udhë – e vetmja mënyrë e politikë-bërjes kombëtare e ndërkombëtare duhet të jetë demokracia sepse ajo i bën popujt sovranë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ky është postimi i plotë i Kurtit:
Duam paqen, e nuk gëzohemi për asnjë luftë, mirëpo agresioni mizor ndaj civilëve nuk mund të na lërë indiferentë, sidomos neve që e kemi parë e pësuar vetë, në Kosovën tonë.
Dëshira jonë do të ishte zgjidhja përmes rrugëve paqësore, përmes diskutimit e bashkëpunimit, por etja e diktatorëve për pushtet nuk i lejon këto.
Prandaj ishte e nevojshme ndërhyrja, së paku për t’i ndalur kapacitetet e tyre luftarake që po i përdorin për të masakruar popullin e vet.
Urojmë që të marrë fund sa më shpejt katastrofa njerëzore në Lindjen e Mesme, dhe shpresojmë, me sa më pak viktima.
Diktatorët duhet të lëshojnë udhë – e vetmja mënyrë e politikë-bërjes kombëtare e ndërkombëtare duhet të jetë demokracia sepse ajo i bën popujt sovranë.