Telegrafi

Kurti për zgjedhjet serbe: Duhet të ketë marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë

Kryeministri Albin Kurti, të hënën gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike, ka thënë se për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

Sipas tij, Kosova nuk dëshiron t’ia pamundësojë të drejtën e votës qytetarëve serbë që kanë dyshtetësi, por thekson se në të njëjtën kohë nuk mund të veprohet në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit.

“Ndaj të dyjave do të sillemi me përgjegjësi”, u shpreh Kurti.

Tutje tha se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it.

Në takim u diskutua mbi gjendjen e sigurisë në rajon pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

Me këtë rast u tha se Republika e Kosovës që nga fillimi ka shprehur solidarizimin me Ukrainën dhe popullin ukrainas gjersa pa hezitim ka dënuar ashpër agresionin e Federatës Ruse, duke iu bashkuar BE-së, SHBA-së dhe botës demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Gjithashtu, u diskutua edhe për një angazhim më të madh në fushën e diplomacisë ekonomike, duke filluar nga krijimi i kontakteve dhe urave lidhëse për të promovuar potencialin e Kosovës nëpër botë./Telegrafi/