Site icon Telegrafi

Kurti për Zërin e Amerikës flet rreth krizës energjetike dhe refuzimin për Ballkanin të Hapur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës teksa ka folur për krizën me energjinë elektrike, Ballkanin e Hapur si dhe shpreson që të arrihet një marrëveshje me Serbinë brenda mandatit të presidentit amerikan, Joe Biden.

Kreu i Qeverisë ka treguar se pse Kosova nuk ka mundur të blejë energji elektrike pasi ajo nuk mund të konservohet në frigorifer.

“Jemi kritikuar që është dashur të blejmë energji elektrike më herët por nuk ka qenë e mundur sepse s’mund të blesh energji elektrike dhe ta konzervosh në frigorifer. Ne jemi shumë të ekspozuar ndaj çmimeve të bursës dhe nuk ka asnjë vend në rajon që është vend eksportues të gjithë janë duke importuar”, tha Kurti.

Ai ka thënë se nuk ka Ballkan të Hapur pa hapjen e Serbisë karshi Kosovës.

“Së pari Ballkani nuk është vetëm tre shtete, por as gjashtë shtete sa është hapësira e Ballkanit Perëndimor. Ballkani është së paku 12 shtete. Nëse e quajmë Ballkan dhe Ballkan i Hapur testi është hapja e Serbisë karshi Kosovës. Ata nuk i pranojnë as dokumentet tona të udhëtimit, as kartat tona të identitetit. Nuk i pranojnë vulat, certifikatat dhe dokumentet tona, andaj me një Serbi të mbyllur karshi Kosovës, nuk di si mund të kemi Ballkan të Hapur”, tha kryeministri.

“Mbështetja e perëndimit për “Ballkanin e Hapur” është më shumë nga motivi që të mos i dilet kundër idesë, sesa të përkrahet projekti i tillë. Nuk duan të kundërshtojnë idenë por nuk është se aktivisht po marrin pjesë në projektin e tillë. Nga tri shtetet që po marrin pjesë në iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, vetëm një shtet ka mbështetjen edhe të presidentit edhe të kryeministrit, Serbia”, ka pohuar Kurti.

Kurti ndër të tjerash tha se shpreson për një marrëveshje me Serbinë brenda mandatit të qeverisë së tij që përkon me mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij të Komisionit aktual Evropian. /Telegrafi/

Exit mobile version