Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e fotoreporterit Alban Bujari.
Kurti tha se Bujari me punën e tij, la pas trashëgimi historike e kombëtare.
“Syri i tij na ka përcjellë për afër tri dekada, e unë fytyrën e tij e kam parë në pothuajse çdo aksion politik si opozitar e aktivitet publik tash si kryeministër. Jemi takuar shpesh, por jo aq sa duhej për kohën e gjatë që njiheshim. Do të na mungojë gjithmonë; mungesa e tij do të vërehet përherë. Por, ai do të jetojë përmes veprave të tij, e nga to do ta mbajë të gjallë edhe kujtimin për viktimat e luftës së fundit, masakrat e shtypjen sistematike të viteve të ’90-ta. Fotografitë e Albanit janë e do të jenë gjithmonë kujtesa jonë për dhimbjet e popullit tonë dhe përkujtimi i çmimit për lirinë që e gëzojmë sot”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka thënë se Bujari do të mbahet mend për rolin si fotoreporter veçanërisht në dokumentimin e masakrave të luftës në Kosovë.
Me punën e tij, ai la trashëgimi vetëdije historike e kombëtare. Ngushëllime familjes, kolegëve në Grupin Koha dhe gjithë komunitetit të gazetarëve e fotoreporterëve të Kosovës, si dhe të gjithëve që e njohën Albanin, qoftë personalisht qoftë përmes fotografive të tij. Albani fotografoi që kurrë mos të harrojmë, e prej sot fotografitë e tij do të kujdesen që ne kurrë mos ta harrojmë Albanin”, ka shkruar Kurti.
Fotoreporteri Alban Bujari vdiq të enjten.
Bujari ishte një ndër fotoreporterët më të shquar të Kosovës dhe ndër të parët që ka dokumentuar periudhën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1997-99. /Telegrafi/