Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti lajmin për takimin e paralajmëruar për 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e ka lidhur me zgjedhjet që do të mbahet në SHBA.
Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ish ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d. i Drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme.
Lexoni të plotë postimin e Kurtit në Facebook:
“Rreth 80 ditë kanë ngelur deri te zgjedhjet e reja në ShBA ku Presidenti Donald Trump përballet me kandidatin demokrat Joe Biden. Fushata atje po intensifikohet ende pa filluar zyrtarisht.
Në këtë kontekst duhet të shihet edhe 2 shtatori si datë e paralajmëruar e negociatave ndërmjet Kosovës e Serbisë në Washington D.C. Ish ambasadori amerikan në Berlin dhe ish u.d. i Drejtorit të Inteligjencës Nacionale, Richard Grenell, e do një sukses të orëve të fundit në politikën e jashtme. Ai pardje kritikoi z. Biden që ‘premton se problemet e botës do t’i bëjë përgjegjësi të ShBA-ve’, kurse sot vetë ai bëri thirrje për negociata midis Kosovës e Serbisë.
Grenell është i njëjti diplomat që thoshte se nuk ka parë e as diskutuar ndonjëherë për ‘shkëmbim territorial’. Pastaj akuzonte ish Këshilltarin e Sigurisë Nacionale, John Bolton, se ai paska qenë prapa këtij plani, ndërkaq ky i fundit u përgjigj duke thënë se atë e ka dëgjuar nga dy presidentët, të Kosovës e të Serbisë.
Në janar të këtij viti Grenell ndryshoi pozicionin e deriatëhershëm amerikan dhe braktisi të gjitha kërkesat ndaj Serbisë në raport me Kosovën. Grenell ia ka mësyrë kontestit Kosovë-Serbi si një ‘cowboy’ i financave dhe medieve që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe vuajtjet e humbjet e Kosovës.
Në njoftimin e tij, Grenell tanimë nuk flet për dialog por për negociata. E, negociatat kanë për destinim kompromisin. Kushtetuta e Kosovës e ka përbrenda kompromisin e dhimbshëm të pakos së Ahtisaarit, ndërkaq Kushtetuta e Serbisë vazhdon synimet e Milosheviqit, duke theksuar qysh në fjalinë e dytë të saj se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Nuk mund të ketë as drejtësi e as dobi nga një qasje e tillë.
Prioritete të Kosovës duhet të jenë luftimi i pandemisë COVID-19, pra, dalja nga kriza shëndetësore; luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit të lartë, pra drejtësia shtetërore; dhe, zhvillimi ekonomik e shoqëror, pra punësimi, sidomos i rinisë dhe grave. Qeveria aktuale e Kosovës po dështon në secilin rrafsh.
Sa i përket Serbisë, ne mund të dialogojmë si shtete fqinje, bazuar në parimin e reciprocitetit, dhe pas përgatitjeve të duhura e me transparencë të plotë.
Ata që nga Kosova po duan të shkojnë në këto negociata të thirrura për 2 shtator nuk kanë legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as kompetencë. Rrjedhimisht, marrëveshjet e tyre janë të pazbatueshme, dhe, nuk vlejnë as sa çmimi i letrës ku shkruhen”. /Telegrafi/