Telegrafi

​Kurti për Sali Çekajn: Ky hero në vepër dhe hero i shpallur i Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar heroin Sali Çekaj në 24 vjetorin e rënies.

Kurti ka thënë se Sali Çekaj kishte rol kyç në organizimin e dy grupeve që u stërvitën në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1991, ku ishin edhe Zahir Pajaziti dhe Adem Jashari.

“Sot është përvjetori i 24-të i rënies dëshmor i Sali Çekajt! Ai u vra në përballje me forcat serbe më 19 prill 1999, gjatë luftimeve të betejës së Koshares, betejë kjo në të cilën ai ishte një nga planifikuesit dhe komandantët kryesorë të operacioneve. Atë kohë, Saliu ishte 42 vjeç, por me kohë ai kishte marrë nofkën “Veterani”, sepse me angazhimin e tij patriotik, ai ishte vërtetë veteran për nga përvoja.

Sali Çekaj kishte rol kyç në organizimin e dy grupeve që u stërvitën në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1991, ku ishin edhe Zahir Pajaziti dhe Adem Jashari.

Emri i Sali Çekajt shfaqet në shumë aktivitete të lëvizjeve dhe të organizatave politike që nga viti 1981 e tutje, kur ai u përfshi në demonstratat e asaj kohe. Gjatë viteve të ’90-ta, Çekaj kontribuoi intensivisht në shtrirjen dhe forcimin e rrjetit të shqiptarëve të angazhuar në lëvizjen për liri, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë.

Aktivist politik, ushtarak, organizator mobilizues dhe komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Sali Çekaj rezulton të jetë një nga profilet më shumëdimensionale në historinë e lëvizjeve për çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Ky hero në vepër dhe hero i shpallur i Kosovës, frymëzoi e u krijoi mundësi veprimi edhe shumë luftëtarëve çlirimtarë të tjerë më pas. Lavdi veprës patriotike të Sali Çekajt, bashkë me të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Kurti në Facebook.