Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se janë duke e shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të rrugës ekzistuese Prishtinë-Pejë, respektivisht rrugën Kievë-Zahaq.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të AAK-së, Shemsedin Dreshaj, kreu qeveritar tha se zgjerimi i rrugës bëhet me gjysmën e çmimit të variantit që është anuluar.
“Ka projekt të zgjerimin e rrugës ekzistuese Prishtinë-Pejë që nga viti 2016, është e pashpjegueshme pse është dashur të ndryshohet traseja e të bëhet autoudhë. Shumë herët do të duhej të përfundonte rruga Prishtinë-Pejë pasi është i rëndësisë të veçantë. Ashtu si do të duhej të përfundonte rruga Prishtinë-Podujevë dhe ajo Prishtinë-Mitrovicë. Ne po e shqyrtojmë mundësinë të bëjmë zgjerimin e rrugës ekzistuese pasi mund të bëhet me gjysmën e çmimit me variantin që e kemi anuluar. Pas këtij shqyrtimi do të vendosim si do të vazhdohet më tutje”, tha ai.
Më tej Kurti ka treguar se në prill të vitit 2018 në Kuvend ishte ratifikuar marrëveshja e huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ndërtimin e autoudhës Kievë-Zahaq.
“Vlera e kredisë është 151 milionë euro. Me 24 gusht 2018 filloj procesi i shpronësimit për 1 mijë e 59 prona nga të cilat 858 janë private 148 janë shoqërore dhe 53 prona të privatizuara. Kur ne kemi filluar punën në Qeveri në mars të vitit të kaluar vendimet për shpronësime ishin marrë”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se aty kanë vërejtur se nga vlera fillestare e planifikuar për shpronësime që ishte rreth 8 milionë euro kishte arritur në 43 milionë euro për të njëjtën sipërfaqe.
“Menjëherë Ministria e Financave ka iniciuar një proces të auditimit për procesin e shpronësimit. Ky proces ka nxjerrë këto dy konkluzione: e para vendimi përfundimtar i shpronësimit ishte publikuar pa refencë në çmime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe e dyta mungesa e publikimit u justifikua me faktin se kanë qenë të përgatitura dy tabela financiare me çmime të ndryshme njëra me 31 milionë euro e tjetra 43 milionë euro”, tha Kurti. /Telegrafi/