Site icon Telegrafi

Kurti për rastin në Pejë: Ajo që pamë ishte e tmerrshme, shteti veproi

Ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në lidhje me rastin e keqtrajtimit të një të moshuareje në një qendër në Pejë.

Kurti në një reagim në Facebook ka thënë se nuk ka qytetarë që nuk është shokuar nga ajo video, por sipas tij drejtësia ka vepruar.

“Ajo që pamë sot ishte e tmerrshme. Nuk ka qytetar i cili s’është shokuar, kurse institucionet me të marrë vesh sulmin mbi nënën, të moshuarën, në Qendrën Strehimore në Pejë, janë aktivizuar dhe kanë vepruar”.

Ai ka premtuar përkrahje për të moshuarit.

“Të moshuarit janë më të dashurit tanë. Ata kanë kontribuar në shoqëri në aq shumë aspekte për kohën më të gjatë sesa të gjithë ne të tjerët. Do të qëndrojmë pranë tyre si me vendime e përgjegjësi qeveritare, gjithashtu edhe me ndenjën dhe përkujdesjen qytetare”, ka shkruar tutje Kurti.

Ndryshe, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shtëpi të moshuarve në Pejë.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, shihet se si disa punonjëse të kësaj shtëpie keqtrajtojnë fizikisht një grua të moshuar, derisa njëra prej tyre është treguar e pamëshirshme duke e goditur me shuplaka vazhdimisht./Telegrafi/

Exit mobile version